Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, shtruan një iftar për besimtarët me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në këtë iftar morën pjesë presidenti Bajram Begaj, kryegjyshi botëror i bektashinjve Baba Mondi, ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë në Tiranë, si dhe figura të njohura nga politika, arti dhe jeta publike.
Mes të pranishmëve ishin edhe përfaqësues të Partisë Socialiste, ndër ta Erion Braçe, Toni Gogu, Ulsi Manja, Igli Hasani, Sara Mila dhe Ervin Demo, si edhe artistët Laert Vasili dhe Bojken Lako.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi se sofra e iftarit është një moment që bashkon njerëzit pavarësisht besimit dhe i afron ata përmes vlerave të përbashkëta.
Ai u shpreh se agjërimi është një praktikë që i mëson njeriut durimin dhe reflektimin mbi vetveten.
“Sofra e iftarit është e vetmja sofër ku je edhe shtrues, edhe i shtruar, edhe zot shtëpie edhe mik. Agjërimi i mëson njeriut durimin e vetvetes dhe rrugën për të zbutur shpellarin që ka brenda vetes”, tha Rama.
Gjatë mbrëmjes u vu re edhe një moment që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve dhe kamerave, kur kryeministri i shërbeu ushqimin liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ishte ulur pranë tij në tryezë.
Muaji i Ramazanit ndodhet aktualisht në dhjetëditëshin e fundit, një periudhë që konsiderohet me rëndësi të veçantë për besimtarët myslimanë, pasi gjatë këtyre ditëve përkujtohet edhe Nata e Kadrit, e cila sipas besimit islam shënon zbritjen e Kuranit.
