Fred Abrahams: Protestat po sfidojnë imazhin europian të qeverisë, BE duhet të kërkojë zbatim të reformave

Data

Aktivisti për të drejtat e njeriut Fred Abrahams ka publikuar një analizë mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku argumenton se protestat qytetare kanë nxjerrë në pah hendekun mes reformave të miratuara dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025 dhe rezolutës së miratuar nga Parlamenti Europian, Abrahams thekson se sfida kryesore e vendit nuk lidhet më me mungesën e legjislacionit, por me zbatimin e tij.

Sipas tij, protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”, të cilat kanë hyrë në javën e katërt, pasqyrojnë pakënaqësi më të gjerë ndaj korrupsionit, mënyrës së qeverisjes dhe administrimit të pasurive publike.

“Njerëzit nuk protestojnë kundër zhvillimit apo turizmit, por kërkojnë që zhvillimi të respektojë ligjin, transparencën dhe interesin publik,” shkruan Abrahams.

Në analizën e tij, ai përmend edhe projektin turistik në Zvërnec, duke argumentuar se ndërhyrjet në zonë dhe reagimet që pasuan kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Sipas tij, rezoluta e Parlamentit Europian ka kërkuar rishikimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike dhe një moratorium për lejet e reja në zonat e mbrojtura.

Abrahams vlerëson gjithashtu punën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke e cilësuar atë si një nga institucionet që gëzon besim më të madh publik. Ai përmend edhe hetimet e fundit për korrupsionin dhe pastrimin e parave si shembuj të rëndësisë së forcimit të shtetit të së drejtës.

Në përfundim, Abrahams argumenton se Bashkimi Europian duhet të shoqërojë procesin e integrimit të Shqipërisë jo vetëm me konsiderata gjeopolitike, por edhe me kërkesa të qarta për transparencë, llogaridhënie dhe zbatim efektiv të reformave demokratike. Sipas tij, dëgjimi i kërkesave të qytetarëve është thelbësor për ruajtjen e besueshmërisë së procesit të integrimit europian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related