Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në luftën kundër Iranit, duke kundërshtuar hapur presionet nga Donald Trump.
Duke folur para deputetëve, Starmer theksoi se qëndrimi i tij ka qenë i qartë që në fillim dhe nuk do të ndryshojë.
“Qëndrimi im për luftën në Iran ka qenë i qartë që në fillim. Ne nuk do të përfshihemi në këtë luftë. Nuk është lufta jonë,” u shpreh ai.
Kreu i qeverisë britanike shtoi se nuk do të tërhiqet nga ky vendim, duke theksuar se përfshirja në konflikt nuk është në interesin kombëtar të vendit të tij.
Deklaratat vijnë pasi Trump paralajmëroi se mund të rishikojë kushtet e një marrëveshjeje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, nëse Londra refuzon të mbështesë SHBA-në në këtë konflikt.
Ky zhvillim sinjalizon tensione të reja mes aleatëve tradicionalë, në një moment kur situata në Lindjen e Mesme vijon të jetë e paqëndrueshme.
