Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po shqyrton sot kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Para nisjes së seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, bëri deklarata ironike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se “të gjithë Madurot do të shkojnë në burg”, ndërsa sipas tij, Ilir Meta do të lirohet nga qelia.
“Ramaduro brenda tani. Të gjithë Madurot do të venë në burg dhe do të dalë presidenti real i Shqipërisë, zoti Ilir Meta,” deklaroi Cakrani për mediat.
Ndërkohë, në Prokurorinë e Posaçme u paraqit edhe ish-deputetja Monika Kryemadhi, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Kërkesa e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë është rrëzuar më herët nga të tre shkallët e gjyqësorit, të cilat kanë lënë në fuqi masën “arrest me burg”.
Meta i është drejtuar gjithashtu Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e marra janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ai këmbëngul se po mbahet në qeli pa akuzë të provuar.
SPAK e akuzon Ilir Metën për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë.
