Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku gjatë takimit të radhës të Foltores, të mbajtur në Manzë. Në fjalën e tij para mbështetësve, Berisha e akuzoi Ballukun për krijimin e një skeme të organizuar për përfitime personale përmes lejeve të ndërtimit dhe projekteve infrastrukturore.
Sipas Berishës, Balluku ka shfrytëzuar pushtetin për të përfituar qindra apartamente, duke vendosur kushte ndaj ndërtuesve në këmbim të lejeve dhe kontratave publike. Ai pretendoi se praktika funksiononte sipas një marrëveshjeje të heshtur, ku lejet e ndërtimit jepeshin me kusht që katet e sipërme të ndërtesave të kalonin në pronësi të saj.
“Ja si i merrte apartamentet. Do të ndërtosh këtë segment rruge, ke edhe këto leje ndërtimi, por dy katet e sipërme janë të miat. Këto janë paratë e qytetarëve shqiptarë. Pensionistët nuk merrnin dot ilaçet, ndërsa ajo përfitonte qindra apartamente, supermarkete dhe jahte,” deklaroi Berisha.
Kryedemokrati e lidhur këtë pasurim të dyshuar edhe me projektet infrastrukturore, duke përmendur veçanërisht Portin e Durrësit, të cilin e cilësoi si një pasuri publike strategjike të vendit.
“Porti i Durrësit është tokë publike dhe ndërmarrja më e rëndësishme kombëtare. Aty janë bërë pazare të mëdha në kurriz të interesit publik,” tha Berisha, duke shtuar se këto praktika, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur ndaj Belinda Ballukut janë intensifikuar hetimet nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa opozita ka rritur presionin politik për largimin e saj nga detyra dhe përballjen me drejtësinë.
