Policia e Shtetit, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, ka vijuar kontrollet në kuadër të hetimeve ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në të njëjtën çështje penale.
Burime për mediat bëjnë me dije se kontrollet janë kryer mbi bazën e vendimeve të Gjykatës së Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Në fokus kanë qenë disa persona të lidhur me Ballukun, mes tyre edhe biznesmenë, identitetet e të cilëve mbeten të rezervuara për shkak të fazës hetimore. Deri tani nuk raportohet për masa të reja sigurie.
Belinda Balluku po hetohet për paracaktim të garës në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, si dhe për shkelje të dyshuara në procedurat e prokurimit që lidhen me projektin e Unazës së Madhe të Tiranës. Ajo u mor zyrtarisht e pandehur më 3 nëntor.
Projekti i Tunelit të Llogarasë ka një kosto rreth 22 miliardë lekë, ose afërsisht 220 milionë euro, duke e bërë një nga investimet më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit. Fillimisht ndaj Ballukut nuk u vendos masë sigurie, por më pas hetimet u zgjeruan edhe për disa procedura të tjera prokurimi.
Gjykata e Posaçme urdhëroi pezullimin e saj nga detyra, masë që u kundërshtua nga kryeministri në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi shfuqizimin e përkohshëm të pezullimit dhe njoftoi se do ta shqyrtojë çështjen në themel më 22 janar.
Ndërkohë, SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për heqjen e mandatit të deputetes, me qëllim hapjen e rrugës për arrestimin e saj. Procedura parlamentare vijon të zvarritet, pasi mazhoranca ka deklaruar se nuk do ta shqyrtojë kërkesën përpara vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
