Katër ministri në patronazhin e Belinda Ballukut, ja si po ia transferon Edi Rama pushtetin zëvendëses së tij

Data

Përtej buzëqeshjes para kamerës dhe tentativës për t’i paraqitur publikut harmoninë që ekziston brenda PS, aty më së shumti ka intriga, thika pas shpine dhe luftë për pushtet. Lëvizjet e fundit të kryeministrit Edi Rama i kanë hedhur edhe më shumë “benzin” përplasjeve të nëndheshme brenda socialistëve. Qeveria “Rama” po transformohet në qeveria “Balluku”. Zv.kryemministrja ka marrë shumë pushtet dhe tashmë ka në duar katër ministri nën patronazh. Edi Rama ka zbehur rolin e Veliajt, që është në mandatin e tretë dhe të fundit në Tiranë dhe po fuqizon Ballukun. Kjo e fundit prej kohësh ka qenë në krye të një institucioni me shumë fonde, para, dhe mundësi për të bërë qoka, po ashtu mban postin nr 2 në qeveri. Por së fundmi kompetencat e saj po shtohen pasi dyshi i qeverisë përveç ministrisë së saj ka marrë nën kontroll dhe stafet e tre dikastereve të tjera. Me shumë gjasë, kjo është edhe arsyeja që Ballukun po e shohim gjithnjë e më shpesh në ekrane së fundmi, pasi kryesocialisti e ka vendos në plan të parë zëvendësen e tij.

Katër ministri në patronazhin e Belinda Ballukut

Edi Rama vendosi që në Kongresin e fundit të bënte ndryshimet në katër ministri. Gjithsesi, vetëm tre prej ministrave të rinj ishin emra që nuk kanë qenë më parë pjesë e kabinetit Qeveritar, teksa të tre mbanin poste drejtorësh nën varësi të ministres së Infrastrukturës, Belinda Ballukut. Kështu ministria e Brendshme që është përgjegjëse për Policinë e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes që ka ushtrinë, e ministria e Financave që lëvizin paratë e fondet, do të drejtohen nga Belinda Balluku, pasi personat përgjegjës që vendosi Edi Rama janë ekspertë “kukulla”, pa një përvojë politike, apo poste politike në kupolën e mazhorancës. Më konkretisht, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili zëvendësoi në këtë post Taulant Ballën. Hoxha së fundmi mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Më herët ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, drejtori në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë, në postin e ministritë Financave u emërua Petrit Malaj, teksa zëvendëson në këtë post Ervin Meten. Petrit Malaj mbante postin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, po ashtu nën varësi të Ballukut. Ndërkohë, ministër i Mbrojtjes u emërua Pirro Vëngu, i cili zëvendësoi në këtë post Niko Peleshin. Po ashtu edhe Vëngu ka qenë drejtor i Belinda Ballukut, pasi mbante postin e kreu të Autoritetit Portual të Durrësit. Ky i fundit nxori edhe më hapur shefen e tij Ballukun. Vëngu nuk falënderoi Edi Ramën për përzgjedhjen në këtë post, por në rrjetet sociale menjëherë sapo mori detyrën falënderoi nga zemra Belinda Ballukun për mbështetjen që i ka dhënë. “Dora e hekurt” e Ballukut filloi menjëherë të shfaqet te këto ministri, pasi me vendosjen e drejtorëve “kukulla”, spastrimet filluan duke larguar emra të “vjetër” që kishin zënë “rrënjë” në këto ministri.

Fuqia e Ballukut

Në korridoret e PS thuhej se me skandalet dhe dosjet që i janë hapur Belinda Ballukut në SPAK, kjo e fundit do të ishte e para që do të largohej nga postet drejtuese pasi vetë Edi Rama ka paralajmëruar se personazhet të cilat i kanë problemet e hapura me drejtësinë nuk kanë vend në Partinë Socialiste. Me Belinda Ballukun ndodhi e kundërta. Asaj iu shtua pushteti. Kujtojmë se pak javë më parë Belinda Balluku kur u pyet në një intervistë mbi garën e brendshme në PS për të qenë “numri 2” pas Edi Ramës tha se në PS ka vetëm një “numër 1” dhe të tjetër janë “shokë të Edi Ramës”. “Nuk ndihem “numri 2” as i ekzekutivit dhe as i PS. Politika është një forcë vullnetare që ti kontribuon se ke dëshirë nuk është as detyrim dhe as ofiq. Është një privilegj të jesh në grup. Nuk ka numër 2. Unë Edi Ramën e njoh prej 24 vitesh, jam shumë e sigurt që kontributi i tij është vlerësuar me votë dhe PS ka Edi Ramën 1. S’ka nevojë t’i vëmë numër, kurse ne të tjerët jemi shokët e partisë së Edi Ramës. S’kemi numra. Nëse vetë-rankohen është gabim. Kam 20 vite bashkëpunim me Edi Ramën, por njihemi prej 24 vitesh”, tha Balluku. Ky reagim ishte para Kongresit dhe Belinda Balluku mesa duket me kompetencat që ka marrë i shërben më mirë shefit të PS.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related