Tre shtetas shqiptarë janë dëbuar nga Italia, pasi u kapën në flagrancë me rreth 100 gramë kokainë të ndarë në doza dhe 700 euro cash, të dyshuara për shitje. Arrestimi u krye më 16 shtator nga Skuadra Fluturuese e Policisë së Riminit.
Të tre shqiptarët rezultonin të hynë ilegalisht në territorin italian. Pas ndalimit, ata u dërguan në burgun e Riminit dhe u paraqitën në proces gjyqësor, ku përveç dënimit penal, gjykata vendosi edhe dëbimin e menjëhershëm nga Italia.
Prefekti i Riminit lëshoi urdhrin e dëbimit, dhe Zyra e Imigracionit e ekzekutoi vendimin ditën e djeshme. Tre të dënuarit u shoqëruan me forcë deri në aeroportin e Ankonës, prej nga u dërguan drejt Tiranës.
Për ta është vendosur gjithashtu ndalimi i hyrjes në Itali për tre vjet, në zbatim të masave administrative të parashikuara për personat e dënuar për trafik droge.
Hetimet në lidhje me rrjetin e mundshëm të shpërndarjes së drogës vijojnë nën drejtimin e autoriteteve italiane.
