Berisha për pezullimin e Ballukut: Rama mashtron, qeveria nuk paralizohet nga një ministër i pezulluar

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë u shpreh se pezullimi i ministres Belinda Balluku nga vendimi i GJKKO ka “paralizuar” punën e qeverisë.

Në një postim në Facebook, Berisha e cilëson këtë pretendim si mashtrues, duke theksuar se nuk ekziston asnjë pengesë ligjore apo kushtetuese që funksionimi i qeverisë të bllokohet nga pezullimi i një ministri.

Sipas tij, kryeministri po stis një situatë të rreme për ta përdorur në Gjykatën Kushtetuese si mburojë politike:

“Kjo është një paralizë e stisur dhe e qëllimshme nga vetë bashkëhajdutët Rama–Balluku, për ta shfrytëzuar si mbrojtje në Kushtetuese. Është rasti i parë që një kryeministër kthehet në avokat të ministrit të tij, vetëm sepse është hajduti kryesor,” – shkruan Berisha.

Ai shton se Kushtetuta dhe ligji e parashikojnë qartë vazhdimësinë e qeverisjes edhe në rast të mungesës apo pezullimit të një anëtari të kabinetit.

Kryedemokrati iu referua edhe çështjes së tij në Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar këtë organ se ka refuzuar në mënyrë të padrejtë kërkesën e 30 deputetëve të PD për shqyrtimin e masës së kufizimit të lëvizjes së tij, sipas tij nën presionin e kryeministrit.

Berisha paralajmëron se më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kërkesën e Ramës për anulimin e pezullimit të Ballukut, duke e cilësuar këtë veprim si precedent të rrezikshëm:

“Me këtë hap, i jepet një goditje e rëndë organit garant të Kushtetutës,” – përfundon ai.

Seanca e Kushtetueses pritet të vendosë mbi vlefshmërinë e pezullimit të ministres së Infrastrukturës, e cila është nën hetim nga SPAK për çështje korruptive.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related