Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar ashpër pas deklaratës së bërë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës së fundit plenare në Kuvend.
Në debatet parlamentare, Balla iu drejtua Vokshit me fjalët: “Për ty Albana kam numrin 0900”, një shprehje që shkaktoi tensione të forta në sallën e Kuvendit dhe reagime të ashpra nga deputetët e opozitës.
Pas këtij episodi, Vokshi publikoi në rrjetet sociale disa fotografi ku në mure të Tiranës shfaqen mbishkrime me mesazhe kundër Ballës, ku thuhet: “0 900 kontakto Taulant Ballën për korrupsion dhe klliqe politike!”*
Sipas saj, mesazhet e shfaqura në qytet janë një shprehje e revoltës së qytetarëve ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të politikës me krimin.
Në reagimin e saj, deputetja demokrate shkruan se kur arroganca e pushtetit përballet me zemërimin e qytetarëve, propaganda nuk mjafton për ta fshehur realitetin.
“Shqipëria ka nevojë për drejtësi dhe për një politikë që u shërben qytetarëve, jo për cinizëm dhe mbrojtje të korrupsionit”, theksoi Vokshi.
Debati mes dy deputetëve ka ndezur edhe më tej tensionet politike në Kuvend, ndërsa opozita e ka cilësuar deklaratën e Ballës si ofenduese dhe të papranueshme në diskursin parlamentar.
