Analiza e DW: Sa gjatë mund ta përballojë Irani luftën nga ana logjistike përballë SHBA-së dhe Izraelit

Data

Në përballjen ushtarake me SHBA-në dhe Izraelin, Irani po mbështetet kryesisht te arsenali i tij i raketave dhe dronëve, ndërsa drejtuesit në Teheran deklarojnë se vendi është përgatitur për një konflikt të gjatë.

Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Ali Larijani, deklaroi në ditët e para të luftës se Irani do të vazhdojë të mbrohet “pavarësisht kostos”, duke nënvizuar se strategjia e regjimit është rezistenca dhe jo dorëzimi i shpejtë.

Që nga 28 shkurti, SHBA dhe Izraeli kanë ndërmarrë një ofensivë të koordinuar kundër objektivave ushtarake dhe qeveritare iraniane. Në përgjigje, Teherani ka lëshuar qindra raketa dhe mijëra dronë ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në vendet e Gjirit Persik.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, deri më 4 mars Irani kishte lëshuar mbi 500 raketa balistike dhe më shumë se 2.000 dronë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se është e vështirë të përcaktohet me saktësi se sa armë zotëron ende Irani. Në fillim të luftës, ushtria izraelite vlerësonte se Irani kishte rreth 2.500 raketa balistike, por ky numër mund të jetë ulur pas përdorimit të tyre dhe goditjeve ajrore ndaj bazave dhe tuneleve të magazinimit.

Imazhe satelitore të publikuara në internet tregojnë dëme të mundshme në bazat e raketave në Kermanshah, Karaj, Khorramabad dhe Tabriz, ku disa hyrje të tuneleve nëntokësore të arsenaleve mund të jenë shkatërruar nga bombardimet.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se teknologjia moderne e zbulimit e bën më të lehtë identifikimin dhe ndjekjen e raketahedhësve të lëvizshëm, të cilët më parë konsideroheshin shumë të vështirë për t’u gjetur.

Megjithatë, Irani ruan një avantazh në prodhimin e dronëve. Sipas dokumenteve të rrjedhura ruse, Teherani mund të prodhojë deri në 5.000 dronë në muaj. Këta dronë janë relativisht të lirë dhe mund të lëshohen nga platforma të thjeshta që montohen brenda pak orësh.

Kostoja e një droni Shahed vlerësohet vetëm disa mijëra dollarë, ndërsa një raketë interceptuese Patriot që përdoret për t’i rrëzuar mund të kushtojë deri në tre milionë dollarë.

Sipas analizave të bazuara në imazhe satelitore, Irani ka përdorur raketa dhe dronë për të goditur objekte pranë sistemeve të komunikimit dhe radarëve në të paktën shtatë baza ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, me synimin për të prishur koordinimin ushtarak të SHBA-së.

Analistët thonë se strategjia e Teheranit është të zgjasë konfliktin dhe të luajë me kohën. Qëllimi kryesor i regjimit është të mbijetojë goditjet e para dhe të ruajë aftësinë për të vazhduar rezistencën.

Megjithatë, barrën më të madhe të luftës po e mban popullsia civile iraniane. Në qytetet e dendura, edhe sulmet e synuara mund të shkaktojnë dëme të mëdha anësore.

Në ditët e para të ofensivës u raportua edhe për një sulm ndaj një shkolle fillore në qytetin Minab, ku sipas mediave iraniane humbën jetën shumë fëmijë dhe mësues. Kombet e Bashkuara e cilësuan incidentin “tronditës” dhe kërkuan një hetim, ndërsa Izraeli mohoi përgjegjësinë për sulmin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related