Kalaja para Kuvendit të PD: Propozova largimin nga PPE dhe afrimin me të djathtën konservatore, mbështes diasporën por jo rritjen e kuotave

Data

Një ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, kreu i degës së PD-së në Krujë, Aulon Kalaja, ka bërë publike disa nga propozimet që ka dorëzuar zyrtarisht për diskutim në forumet e partisë.

I ftuar në një emision televiziv, Kalaja deklaroi se ka kërkuar një orientim më të fortë konservator për Partinë Demokratike, duke propozuar që forca opozitare të rishikojë pozicionimin e saj në arenën politike europiane.

Sipas tij, PD duhet të afrohet me forcat e djathta sovraniste në Europë dhe SHBA, duke shqyrtuar mundësinë e largimit nga grupimi i Partive Popullore Europiane dhe afrimit me aleancën “Patriotët për Europën”.

“Kam propozuar që Partia Demokratike të shkojë më tepër drejt konservatorizmit dhe së djathtës tradicionale. Gjithashtu kam kërkuar një proces të de-sorosizimit të partisë, duke argumentuar se drejtimi i saj duhet të reflektojë më qartë vlerat konservatore”, u shpreh Kalaja.

Ai komentoi edhe ndryshimet statutore që pritet të diskutohen në Kuvendin Kombëtar, duke mbështetur nismat për përfshirjen më të madhe të diasporës dhe të rinjve në strukturat drejtuese të partisë.

“Diaspora dhe afrimi i saj më pëlqejnë si propozime. Po ashtu edhe përfshirja e të rinjve. Partia duhet të jetë më e hapur dhe të përfitojë nga energjia dhe kontributi i tyre”, tha ai.

Megjithatë, Kalaja u shpreh kundër rritjes së kuotës së detyrueshme për përfaqësimin e grave në forumet drejtuese, duke argumentuar se përzgjedhja duhet të bazohet kryesisht te cilësia dhe kontributi individual.

“Unë jam më shumë për cilësinë sesa për sasinë. Përfaqësimi duhet të bazohet te vlerat dhe aftësitë e individëve”, deklaroi ai.

Deklaratat e Kalajës vijnë në prag të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku pritet të diskutohen ndryshime statutore, përfshirja më e madhe e diasporës në strukturat drejtuese dhe zgjedhja e Këshillit të ri Kombëtar, në një proces që konsiderohet vendimtar për drejtimin e ardhshëm të opozitës shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related