Gazeta prej disa muajsh ka denoncuar lidhjet e fshehta të politikës me biznesmenë të fuqishëm. Një nga këta ka qenë dhe megaoligarku Samir Mane, për të cilin nga skandalet që kemi publikuar rezulton se kryeministri Rama ka vendosur një shtet të tërë në dispozicion të tij në mënyrë që ai të pasurohet. Në artikullin e fundit treguam rastet ku SPAK dhe BKH dyshojnë se Green Coast i Samir Manes është përdorur gjerësisht si lavatriçe për pastrimin e parave, si nga persona me rekorde kriminale, ashtu edhe nga zyrtarë të korruptuar të të gjitha niveleve. Shembulli më i freskët është ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, i cili dispononte me para të pista një vilë në Green Coast-in e Samir Manes. Por skandali nuk qëndron vetëm këtu. Fillesat i ka që në 2014 dhe sërish aty ku favorizohet oligarku del sa herë emri i kryeministrit Edi Rama.
Grabitja e pronave në Palasë
Edhe pse Edi Rama ka qenë në dijeni të plotë, të një serie të gjatë falsifikimesh të pronave në bregdetin e Palasës, ajo miratoi ndërtimin e fshatit turistik të Samir Manes, duke i dhënë edhe mburojën juridike si “investitor strategjik”. Në plazhin dikur të virgjër, të njohur nga banorët e zonës me emrin Dhraleo, ose Rrugët e Bardha, në 7 mars, 2014 qeveria “Rama” miratoi lejen e zhvillimit për resortin turistik “Green Coast”, një kompleks vilash dhe apartamentesh me investitor grupin Balfin, i shtrirë në një sipërfaqe prej 185 mijë metrash katrorë. Kompleksi turistik “Green Coast,” ka marrë në vitin 2015, vlerësimin si investim strategjik në fushën e turizmit, duke i dhënë investitorit mbrojtje juridike nga problemet dhe pretendimet e pronësisë mbi tokën mbi të cilën ai po ndërtohet.
Dëshmitë dhe dokumentet
Megjithatë, dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga BIRN, tregojnë që ky resort, po ndërtohet në prona të cilat janë tjetërsuar nga pronarët e ligjshëm nëpërmjet falsifikimeve ose vendimeve të paligjshme, për të cilat strukturat më të larta të shtetit kanë pasur dijeni të plotë. Në momentin kur lejet e ndërtimet për resortet janë miratuar në vitin 2014, tjetërsimi i pronave në Palasë ka qenë objekt hetimi i Prokurorisë së Vlorës dhe i Task-Forcës për Verifikimin e Ligjshmërisë dhe Mënyrës së Tjetërsimit të Pronave të Paluajtshme Shtetërore pranë Kryeministrisë. Edhe pse këto dy institucione kanë zbuluar se qindra hektarë tokë mbi të cilat janë ngritur resortet, në pronësi të katër familjeve, janë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme, autoritetet nuk kanë arritur t’i japin zgjidhje pretendimeve të tyre të ligjshme, duke hedhur dyshime mbi premtimin e kryeministrit Edi Rama, për të zgjidhur çështjet e pronësisë përgjatë bregdetit të jugut. Grupi Balfin, në atë kohë kur nisi ndërtimet i hodhi poshtë akuzat se prona mbi të cilën resorti është ndërtuar tashmë kishte probleme.
