Drejtori i Zyrës së Shtypit të Partisë Demokratike, Alfred Lela, ka paralajmëruar zhvillime të rëndësishme brenda forcës më të madhe opozitare në prag të Kuvendit Kombëtar që do të mbahet këtë fundjavë.
Gjatë një interviste televizive, Lela foli për procesin e riorganizimit dhe modernizimit të Partisë Demokratike, duke theksuar se PD po hyn në një fazë të re hapjeje dhe ripërtëritjeje.
Ai vlerësoi gjithashtu periudhën e qeverisjes së demokratëve gjatë viteve 2005-2009, duke e konsideruar atë si një model të suksesit politik dhe të hapjes ndaj figurave të reja.
“Sali Berisha dhe Partia Demokratike e kanë treguar më parë se çfarë do të thotë hapje. Qeverisja e viteve 2005-2009 konsiderohet nga shumë analistë dhe vëzhgues si një nga periudhat më të suksesshme të tranzicionit shqiptar”, deklaroi Lela.
Sipas tij, së shpejti do të prezantohet edhe një platformë e re për dixhitalizimin dhe modernizimin e partisë, e cila synon të afrojë më shumë qytetarët, të rinjtë dhe diasporën me strukturat e PD-së.
Megjithatë, interesin më të madh e ngjallën deklaratat e tij për surprizat që pritet të prezantohen në ditët në vijim. Edhe pse nuk pranoi të zbulojë detaje konkrete, Lela la të kuptohet se bëhet fjalë për figura të rëndësishme dhe zhvillime me ndikim politik.
“Do të ketë surpriza. Do të ketë zhvillime që do të tërheqin vëmendjen dhe do të sjellin elementë të rinj në jetën politike të Partisë Demokratike”, u shpreh ai.
Deklaratat e Lelës vijnë në një moment kur PD po përgatitet për zgjedhjen e Këshillit të ri Kombëtar dhe miratimin e ndryshimeve statutore, procese që konsiderohen vendimtare për drejtimin e ardhshëm të opozitës dhe strategjinë e saj politike për vitet në vijim.
