Protesta ka mbërritur si shqetësim në selinë e PS-së”/ Kikia: Rama ka humbur betejën e narrativës, lufta politike po zhvillohet në rrjetet sociale

Data

Analisti Mentor Kikia ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe reagimin e mazhorancës përballë protestave që prej javësh po zhvillohen në vend, duke theksuar se shqetësimi i krijuar nga lëvizja qytetare tashmë ka mbërritur në nivelet më të larta të qeverisë dhe Partisë Socialiste.

Në një intervistë televizive, Kikia u shpreh se sinjali më i qartë u dha gjatë mbledhjes së fundit të grupit parlamentar socialist, ku sipas tij kryeministri Edi Rama pranoi indirekt se protesta është kthyer në një problem serioz politik dhe komunikimi për mazhorancën.

“Për herë të parë u pa qartë se protesta kishte mbërritur si një shqetësim i madh në selinë e qeverisë dhe në selinë e partisë që ka shumicën në Parlament”, u shpreh Kikia.

Sipas analistit, ajo që bie në sy është fakti se qeveria nuk është fokusuar te përmbajtja e kërkesave të protestuesve, por te mënyra se si mesazhet e protestës po përhapen në rrjetet sociale.

“Qeveria nuk u mor me thelbin e protestës, por me instrumentin që po e amplifikon atë. U fol për algoritme, rrjete sociale dhe mënyrën se si po shpërndahen mesazhet e protestuesve”, tha ai.

Kikia vuri në dukje se pas mbledhjes së kryeministrit me deputetët dhe ministrat është vënë re një shtim i aktivitetit të figurave të mazhorancës në rrjetet sociale, me synimin për të kundërshtuar narrativën e protestës dhe për të promovuar arritjet e qeverisë.

Sipas tij, përplasja politike ka hyrë tashmë në një fazë të re.

“Protesta nuk po zhvillohet më mes protestuesve dhe policisë. Lufta po bëhet online, me postime, mesazhe dhe përpjekje për të fituar vëmendjen e opinionit publik”, theksoi ai.

Analisti shtoi se ka ndryshuar edhe mënyra se si po trajtohet protesta nga mazhoranca. Nga akuzat fillestare për ndërhyrje të huaja apo skenarë të ndryshëm rajonalë, fokusi është zhvendosur drejt pretendimeve për financim dhe ndikim ideologjik nga qarqe të jashtme.

Sipas Kikisë, kjo tregon se beteja kryesore politike nuk po zhvillohet më vetëm në sheshe, por në hapësirën dixhitale, aty ku po formësohet perceptimi publik dhe ku po zhvillohet përplasja më e fortë mes qeverisë dhe kundërshtarëve të saj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related