Jorida Tabaku propozon ligj për sigurime shoqërore e shëndetësore për nënat e fëmijëve me autizëm dhe sindromën Down

Data

Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, ka prezantuar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave një nismë ligjore që synon njohjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për prindërit, veçanërisht nënat që kujdesen për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit dhe sindromën Down.

Sipas saj, projektligji është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi me organizatat e shoqërisë civile dhe vetë prindërit, ku janë zhvilluar disa seanca publike dhe janë marrë sugjerime konkrete për përmirësimin e nismës.

Tabaku bëri të ditur se rreth 15 mijë persona përfshihen në këtë kategori, ndërsa mbështetja aktuale financiare për kujdestarët është shumë e ulët. Ajo kritikoi pagesën mujore prej 14 mijë lekësh, duke e cilësuar të pamjaftueshme për të përballuar nevojat bazë.

Deputetja theksoi se kjo nismë synon ndërtimin e një sistemi mbështetës real dhe të qëndrueshëm për familjet që përballen me këto sfida, duke e konsideruar kujdesin ndaj këtyre fëmijëve si një kontribut të madh shoqëror.

Në një deklaratë me tone emocionale, Tabaku i cilësoi nënat që kujdesen për këta fëmijë si “heroina”, duke theksuar se ato shpesh heqin dorë nga karriera për t’u përkushtuar ndaj familjes.

Në fund, ajo bëri thirrje për bashkëpunim ndërpartiak, duke kërkuar që kjo nismë të mbështetet nga të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësive politike, me qëllim miratimin e një ligji në interes të familjeve dhe grave në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related