Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar kontrolle në disa zona të vendit, pas dëshmive të dhëna nga ish-zyrtari i AKSHI-t, Daniel Shima.
Kontrollet janë ushtruar në Tiranë, Qerret dhe në zonën bregdetare të Palasës, në kuadër të një hetimi pasuror që përfshin ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe persona të tjerë të lidhur me çështjen.
Sipas burimeve hetimore, Shima ka dhënë disa deklarime në SPAK, duke ofruar detaje mbi procedurat e tenderave dhe pasuri të dyshuara që mund të lidhen me Karçanajn. Ai ka pretenduar se ajo ka përdorur vila në Qerret dhe Palasë, të cilat sipas tij i përkasin asaj, megjithëse janë të regjistruara në emër të personave të tretë.
Nga ana tjetër, Karçanaj ka pranuar se ka qëndruar në këto prona gjatë pushimeve, por ka mohuar pronësinë mbi to. Ajo ka deklaruar se njëra prej vilave i përket vetë Shimës, ndërsa për pronat e tjera nuk ka lidhje direkte.
Hetimet kanë zbuluar se një nga vilat rezulton e regjistruar në emër të një punonjësi të lidhur me Shimën, ndërsa tjetra në emër të një shtetasi nga Kukësi, i cili është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se nuk ka dijeni të plotë mbi pronësinë reale.
Në vijim të hetimeve, prokurorët kanë urdhëruar kontrolle në katër banesa, përfshirë edhe një apartament në Tiranë ku Karçanaj ndodhet në masën “arrest shtëpie”. Qëllimi është sigurimi i provave që mund të lidhin ish-zyrtaren me këto pasuri.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në këtë çështje është përmendur edhe emri i biznesmenit Orest Sota, i cili dyshohet se ka pasur një marrëdhënie qiraje me Karçanajn për një apartament në kryeqytet.
SPAK pritet të vijojë hetimet dhe nuk përjashtohet mundësia e vendosjes së sekuestros preventive mbi pasuritë e dyshuara në ditët në vijim.
