Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Klevis Balliu, ka kritikuar ashpër mazhorancën gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, për mosmbështetjen e një projektligji që synon përdorimin e parave të konfiskuara nga krimi i organizuar në funksion të shoqërisë.
Sipas tij, këto fonde duhet të përfitojnë fillimisht familjet e efektivëve të policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës, të cilat përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesë mbështetjeje institucionale.
Balliu theksoi se një pjesë e rëndësishme e ndihmës duhet të shkojë edhe për familjet e viktimave të krimit, duke përmendur rastin e një të riu në Memaliaj që humbi jetën si pasojë e përplasjes së bandave kriminale.
Ai u ndal gjithashtu te vështirësitë ekonomike të të rinjve, duke theksuar se me pagat aktuale është pothuajse e pamundur të blihet një banesë. Sipas tij, rritja e çmimeve të apartamenteve lidhet edhe me pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale.
“Nuk ka askush që mund t’u thotë të rinjve se mund të blejnë një shtëpi me 500 apo 600 euro në muaj,” u shpreh Balliu, duke kërkuar që këto fonde të përdoren për mbështetjen e çifteve të reja.
Në përfundim, ai akuzoi mazhorancën se po refuzon një nismë që do të ndihmonte kategori të ndjeshme të shoqërisë, duke e cilësuar këtë qëndrim si të papranueshëm dhe në dëm të qytetarëve.
