Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë në Kuvend se gjatë 14 viteve ka ndërtuar një model ekonomik që favorizon oligarkët, monopolet dhe klientelizmin, ndërsa qytetarët dhe shtresa e mesme përballen me rritje të kostos së jetesës dhe mungesë perspektive.
Në fjalën e saj, Tabaku deklaroi se socialistët erdhën në pushtet me premtime për barazi dhe drejtësi sociale, por sipas saj Shqipëria sot është “më e shtrenjtë për qytetarët dhe më e përqendruar në duart e një pakice”.
Ajo kundërshtoi narrativën zyrtare për rritjen ekonomike dhe pagat, duke theksuar se realiteti i familjeve shqiptare është krejt ndryshe nga propaganda qeveritare.
Sipas Tabakut, qytetarët po përballen me çmime të larta për ushqimet bazë, karburantin, qiratë dhe kreditë e banesave, ndërsa një familjeje shqiptare i duhen afro 20 vite punë për të blerë një apartament.
Deputetja demokrate e cilësoi modelin ekonomik aktual si një “sistem rente, privilegji dhe patronazhi”, ku qytetarët taksohen më shumë ndërsa, sipas saj, investitorët strategjikë dhe bizneset e lidhura me pushtetin përfitojnë trajtim preferencial.
Një nga akuzat kryesore të saj lidhej me atë që e quajti “taksa e fshehur”. Tabaku deklaroi se qeveria nuk ka indeksuar fashat e tatimit mbi të ardhurat me inflacionin, duke bërë që qytetarët të kalojnë automatikisht në nivele më të larta taksimi edhe kur rritja e pagës shërben vetëm për të mbuluar rritjen e çmimeve.
“Mbi 800 mijë punonjës kanë paguar mbi 50 miliardë lekë më shumë vetëm sepse qeveria refuzoi të indeksonte fashat”, u shpreh ajo.
Tabaku ngriti shqetësim edhe për përqendrimin e tregjeve dhe mungesën e konkurrencës, duke përmendur sektorë si mielli, vaji dhe karburantet, të cilat sipas saj kontrollohen nga pak kompani.
“Kjo nuk është ekonomi tregu, por ekonomi klienteliste”, deklaroi deputetja, duke akuzuar edhe Autoriteti i Konkurrencës për mungesë reagimi ndaj monopoleve dhe oligopoleve.
Ajo lidhi situatën edhe me prokurimet publike, duke pretenduar se një numër i kufizuar kompanish përfitojnë pjesën më të madhe të kontratave shtetërore.
Në fund të fjalës së saj, Tabaku tha se emigracioni dhe largimi i të rinjve lidhen jo vetëm me varfërinë, por edhe me mungesën e drejtësisë, meritokracisë dhe konkurrencës së lirë.
“Shqiptarët nuk po ikin vetëm nga varfëria. Po ikin nga padrejtësia”, deklaroi ajo.
