Nga Ndokë Kola
Një rast që ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik ka treguar, edhe një herë, anën më të errët të shtetit tonë. Një grua e moshuar, 80 vjeç, është gjobitur për të vetmen arsye se ka ushqyer kafshë endacake me paratë e saj të pakta. Në vend që ky veprim human të vlerësohej, ajo është ndëshkuar. Dhe bashkë me të, është ndëshkuar edhe humanizmi ynë si shoqëri.
Avokatja Sabina Meta ka reaguar me një deklaratë të fortë dhe pa kompromis. Ajo thotë prerë: “Është shteti që duhet t’u sigurojë qytetarëve strehim, bukën e përditshme, dinjitet, arsim, mjekim dhe punë. Është po ashtu shteti që duhet të mbrojë kafshët, duke ofruar strehim dhe ushqim për to.”
Por, në vend të një shteti social, ne përballemi me një aparat që ndëshkon. Një shtet që godet të mirët, që i fundos edhe më thellë ata që përpiqen të bëjnë mirë. “Në vend që t’i mbështesim njerëzit e mirë, i përndjekim që e mira të zhduket. Por e mira nuk do të zhduket kurrë, sado të mundoheni”, deklaron Avokatja Meta.
Ky rast, përtej një gruaje të moshuar, na përball me një pasqyrë tronditëse të realitetit tonë social: në këtë vend, ndëshkohet solidariteti, dënohet humanizmi dhe përçmohet mirësia. Dhe ajo që e bën situatën edhe më alarmante është heshtja. Heshtja e institucioneve, heshtja e shoqërisë civile, madje edhe e shoqatave që supozohet të mbrojnë të drejtat e kafshëve, por që nuk guxojnë të flasin kur gjobitet një qytetar i thjeshtë për një veprim human.
“Sot ishte radha e një zonje të moshuar, nesër abuzimi i shtetit mund të godasë ty,” paralajmëron Sabina Meta. Sepse ky shtet, thotë ajo, godet me ashpërsi pikërisht ata që janë të ndershëm, të drejtë dhe që nuk presin asgjë në këmbim.
Ky nuk është më një problem i një individi. Ky është një dështim kolektiv. Një turp që na përfshin të gjithëve. Një shoqëri që nuk reagon ndaj padrejtësisë, herët a vonë, do ta përjetojë vetë këtë padrejtësi.
Nëse sot heshtim për këtë grua të moshuar, nesër mund të jemi vetë ne në të njëjtin vend.
