Artisti i mirënjohur, Sidrit Bejleri, i ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, ka rrëfyer udhën e jetës së tij, teksa u ndal në një rrëfim prekës për humbjen e së bijës, Sofisë, vite më parë, kur ajo ishte 19 muajshe.
Këngëtari ka treguar se bashkë me tre fëmijët e tij, ai dhe bashkëshortja, Meri, e kujtojnë Sofinë herë pas here. Ai rrëfeu se gjithmonë kanë dashur tre fëmijët, Amad, 14, Emel, 11, dhe Ejna 5-vjeçare, të rriteshin me idenë që kanë pasur edhe një motër më të madhe, madje shpesh mendojnë edhe si do të ishte ajo sot.
“Shumë gjera i kemi folur me fëmijët, ata e dinë që kanë pasur një motër me të madhe dhe shpesh herë hedhin ato paralelet, ajo sot do të ishte 17-vjeçe, si do sillej me ne. Ne duam t’i rritim me idenë që kanë pasur edhe një motër më të madhe.
Sepse duhet kuptuar që jeta është e çuditshme, jeta të vë para sprovave që ti nuk i mendon kurrë. Ti mendon se do të jesh gjithmonë një vëzhgues i papërfshirë, por kur je brenda pastaj thua “pse më ndodhi mua?”. Ja që ndodh, por duhet të dish të reagosh”, rrëfeu ai mes emocionesh në një intervistë për “S’e luan Topi”.
