Grup vrasësish me pagesë në shënjestër të policisë: Kontroll në banesën e Dhimitër Mecit, dyshime për atentat ndaj një mafiozi grek

Data

Mediat greke raportojnë se autoritetet shqiptare kanë ushtruar kontrolle në banesën e prindërve të Dhimitër Mecit, 45-vjeçarit të arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi të dyshuar vrasësish me pagesë, që sipas hetimeve po përgatitej për një atentat të rëndë kriminal.

Sipas burimeve greke, gjatë kontrollit në banesën familjare është gjetur vetëm nëna 84-vjeçare e Mecit, ndërsa dhoma e tij rezultonte e mbyllur me çelës. Gjatë operacionit janë sekuestruar armë zjarri dhe municion luftarak, konkretisht:

  • 2 armë automatike Kallashnikov
  • 1 pistoletë automatike e mbështjellë me plastmas
  • Dhjetëra fishekë, disa të fshehura brenda qeseve me oriz
  • 5 krehëra për Kallashnikov

Sipas mediave greke, ekzistojnë dyshime të forta se këto armë do të transportoheshin ilegalisht drejt Greqisë, për t’u përdorur në atentate të planifikuara.

Fotot e publikuara nga mediat fqinje tregojnë armë me mbishkrime në gjuhën shqipe, si “PUSHK DHELPRA RUSE” dhe “TT RUSE”. Ende nuk është e qartë nëse armët janë sekuestruar në territorin shqiptar apo grek, pasi autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi operacionin.

Dyshime për atentat ndaj mafiozit grek në Pire

Sipas hetimeve të policisë greke, grupi kriminal i përbërë nga 4 shtetas shqiptarë dhe 4 grekë dyshohet se po përgatiste një atentat ndaj një mafiozi grek në Pire, ish-bashkëpunëtor i Mihali Zampounit, i cili është ekzekutuar më herët në një atentat mafioz.

Burimet bëjnë me dije se objektivi ishte ndjekur prej kohësh dhe atentati mund të ishte planifikuar rreth festave të Krishtlindjeve, duke përdorur armët e sekuestruara në një apartament në zonën Marina Zeas.

Veprimtari e gjerë kriminale

Policia greke ka zbuluar gjithashtu se i njëjti grup:

  • Dyshohet për tentativë vrasjeje ndaj Jani Lalës
  • Ka qenë i përfshirë në djegien e një karburanti
  • Ka realizuar vjedhjen e një automjeti më 22 korrik 2025, duke i vendosur targa false për përdorim kriminal

Personat e arrestuar

Në operacionin e zhvilluar dy ditë më parë u arrestuan:

  • Dhimitër alias Dhimo Meci, 45 vjeç, nga Labova e Poshtme (Gjirokastër)
  • Fatjon alias Fatjion Prendi, 39 vjeç, nga Lezha
  • Andrea Brokeri, 32 vjeç, nga Himara

Ndërsa u shpall në kërkim:

  • Vasil Theohari, 31 vjeç, nga Krongji i Finiqit

Po ashtu, si pjesë e grupit janë identifikuar edhe 4 shtetas grekë, disa prej të cilëve janë arrestuar nga autoritetet helene.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim mes policisë shqiptare dhe asaj greke, për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal dhe planeve të dyshuara për atentate mafioze.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related