“Jeni kapur me dashin e kopesë në kurriz”/ Dule shpërthen në Kuvend: Korrupsioni është bërë politikë shtetërore

Data

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisë gjatë seancës plenare në Kuvend, duke e akuzuar mazhorancën për dhunë ndaj protestuesve dhe për shndërrimin e korrupsionit në instrument politik.

Dule u ndal fillimisht te protesta e opozitës, duke deklaruar se Policia e Shtetit, me urdhër të qeverisë, ka ushtruar dhunë brutale ndaj qytetarëve. Sipas tij, ndaj protestuesve është përdorur gaz lotsjellës i skaduar, çka përbën një akt kriminal.

Ai kritikoi ashpër ministren e Brendshme, duke e quajtur të papranueshme mënyrën se si u justifikua ndërhyrja e policisë. “Nuk mund të vini këtu dhe të justifikoni dhunën brutale të ushtruar ndaj qytetarëve. Një nga viktimat e asaj dhune është sot folës në këtë Kuvend. Nuk kishte me vete as një çakmak,” deklaroi Dule.

Kreu i PBDNJ-së theksoi se përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar është krim dhe se protestuesit kanë ruajtur bombolat si prova. Ai akuzoi qeverinë se, në vend që të kërkonte ndjesë dhe të vinte para përgjegjësisë zinxhirin komandues, zgjodhi të banalizojë situatën.

“Jeni kapur me dashin e kopesë në kurriz duke vjedhur,” u shpreh Dule, duke shtuar se segmentë të forcave të sigurisë kanë devijuar nga detyrimet e tyre kushtetuese. Ai përmendi edhe rastin e një të mituri 14-vjeçar, duke thënë se dëshmia e tij për dhunën nuk mund të manipulohet.

Dule kritikoi gjithashtu aktin normativ për rishikimin e buxhetit, duke thënë se në asnjë vend europian buxheti nuk ndryshohet kaq shpesh brenda një viti. Sipas tij, qeveria përdor ligjet dhe projektet për të vjedhur dhe për të krijuar propagandë, ndërsa qytetarët mbeten në varfëri.

“Ju e keni kthyer korrupsionin në instrument të politikës së jashtme. Vidhni me çdo ligj, me çdo projekt. Shkoni e reklamoni dhembshurinë në rrjete sociale, por çfarë keni bërë realisht për familjet në nevojë? Asgjë, përveç hajdutërisë,” tha Dule.

Në fund të fjalës së tij, ai u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të mos bien pre e militantizmit partiak, duke paralajmëruar se pushteti politik është i përkohshëm, ndërsa pasojat për jetën e njerëzve janë afatgjata.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related