Arabia Saudite po përgatitet për një rishikim të thellë të strategjisë së saj ekonomike, duke rikalibruar projektet madhore të lidhura me Vizionin 2030. Sipas raportimeve ndërkombëtare, Fondi i Investimeve Publike (PIF), me një vlerë rreth 925 miliardë dollarë, pritet të prezantojë një strategji të re pesëvjeçare për periudhën 2026–2030.
Strategjia e re sinjalizon një zhvendosje të fokusit nga projektet simbolike dhe futuriste drejt sektorëve më pragmatikë si industria, mineralet, inteligjenca artificiale dhe turizmi i qëndrueshëm. Rishikimi konsiderohet si ndryshimi më i madh deri më tani në kuadër të reformave të nisura nga princi i kurorës, Mohammed bin Salman, përmes programit Vision 2030.
Ndër projektet që pritet të tkurren ose rikonfigurohen është edhe The Line, qyteti linear futuristik i planifikuar të shtrihet 170 kilometra në shkretëtirë. Gjithashtu, zhvillime si qendra dimërore Trojena dhe rrokaqielli kubik në Riad, i njohur si Mukaab, janë përballur me vonesa dhe rritje kostosh.
Sipas burimeve, rishikimi i strategjisë vjen në kushtet e presioneve fiskale në rritje dhe çmimeve të naftës nën nivelin e nevojshëm për të mbështetur ambiciet fillestare të projekteve. Në këtë kuadër, PIF pritet të rrisë përpjekjet për të tërhequr kapital nga menaxherë të mëdhenj globalë të aseteve.
Projekti NEOM do të orientohet më fort drejt energjisë së rinovueshme dhe zhvillimit industrial, përfshirë prodhimin e hidrogjenit të gjelbër, ndërtimin e parqeve diellore dhe të erës, si dhe investime në qendra të dhënash. Kjo qasje e re synon ta bëjë transformimin ekonomik më të qëndrueshëm financiarisht dhe më të lidhur me realitetin global të tregjeve.
Rikalibrimi i Vizionit 2030 shënon një kthesë të rëndësishme për Arabinë Saudite, e cila duket se po zhvendoset nga ambiciet ultra-futuriste drejt një modeli më të matur dhe ekonomikisht të balancuar.
