Jeronim De Rada, kush ishte ideologu i Rilindjes Kombëtare! Çfarë përmbanin letrat drejtuar inteligjencës shqiptare

Data

FIORELA KATROSHI/ Më 28 shkurt të vitit 1903 ndërroi jetë ideologu i Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada, i cili u lind më 19 nëntor 1814, në një katund të vogël të Kalabrisë, të quajtur Maçhia Albanese. Pasi kreu kolegjin e San Benedeto Ullanos, studioi për drejtësi në Universitetin e Napolit.

Në vitin 1836, kur ishte 22 vjeç, botoi “Milosaon”, librin e tij të parë. “Milosao” është një përrallë historike me vjersha në gjuhën shqipe. Jeronim de Rada e arriti kulmin e krijimtarisë së tij në vitin 1866 kur botoi në Firence “Këngët e Milosaos”. Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë nga brezi në brez për katër shekuj. Më 1840 botoi poemën “Serafina Topia”, e cila më tepër se një himn dashurie është një himn për bashkimin e shqiptarëve. Gjatë viteve 1847- 1848 botoi “Rrëfimet e Arbrit”, e cila përbëhet nga katër novela romantike. Më 1861 botoi “Parimet e estetikës”, më 1864 “Lashtësia e kombit shqiptar” dhe më 1866 “Rapsodi e një poeme arbëreshe”. Veprën e fundit Jeronim de Rada e shkroi në vitin 1900 në moshën 86-vjeçare. Jeronim de Rada u martua më 1850 me arbëreshen Madalena Melkji, me të cilën pati katër djem. Fatkeqësitë familjare, vdekja e gruas dhe e djemve nuk e mposhtën atë, por dhimbjen e ktheu në forcë duke vazhduar veprimtarinë krijuese. Në këtë kohë shkroi poemën “Skënderbeu i pafat”.

GJUHA DHE FOLKLORI

Shkrimet e De Radës në gjuhën italiane vijnë përpara atyre në arbërisht. Por këto krijime, të cilat janë përkthime në prozë të vjershave arbëreshe, duhen dalluar nga vjershat italiane, sipas Pipës. Interesimi i tij për folklorin u shty nga leximi i teoricienit të Romantizmit, Schlegel, prej ku nisi përkushtimi ndaj arbërishtes dhe doli përmbi fazën italiane të ndikimeve të Dantes, Ariostos e Foscolos. Veprat në poezi, përpos “Odisse” (që De Rada e quante “me temë arbëreshe”) dhe “Sofonisba” janë të gjitha në arbërisht, por të pajisura me një përkthim italisht në prozë në krah të origjinalit. Titujt e veprave në poezi, të gjata si rregull, janë në italisht, me një përjashtim, “Skanderbeku i pafaan”.

Nga të dy periodikët të redaktuar e të botuar prej De Radës, “L’Albanese d’Italia” është edhe në italisht, kurse “Fiamuri i Arbërit” është në të dyja gjuhët. I cytur nga avokati kalabrez Rafaele Valentini, shtator-tetorin e 1833, De Rada asokohe nëntëmbëdhjetëvjeçar zuri të mblidhte këngë popullore arbëreshe në fshatrat kalabro-arbëreshe të krahinës së Kozencës. Vjeshtën e 1834 pasi hartoi “Raçolta di canti albanesi” dhe më 1866 botoi “Rapsodie” nën kujdesin e N. Tommaseo. Më 1845 Kamarda i tregoi një tufë këngësh popullore të mbledhura nga F. Avati. Më 1963 ose 1964 Giuseppe Ferrari botoi një dorëshkrim të De Radës, të cilin e quajti “Canti albanesi”. “Raçolda di Michele Bellusci del ‘600”, gjetur në Frashinetë, me “Milosaon” ka të përbashkët 11 këngë dhe teza e Ferrarit çonte drejt një pandehme për plagjiaturë. Më 1966 Francesco Solano në një artikull botuar tek “Shêjzat” hodhi poshtë hipotezën e Ferrarit, duke provuar se gjuha e përdorur ishte ajo e anëve të De Radës, por edhe stili i ngjante shumë stilit të “Milosaos”. Solano doli në përfundimin se tufa e këngëve e mbledhur nga Belushi nuk ishte tjetër veçse tufa e parë e këngëve popullore e mbledhur nga djaloshi De Rada me shtysën e Valentinit.

POEMAT

Më 1832 shkruan Odisse në terza rima. Më 1833, porsa mbaroi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, u caktua që të administronte pronën e familjes dhe kësodore i ra të njihej me të bijën e fshatarit që merrej me tufën e bagëtisë së familjes De Rada. Nuk vonoi dhe poeti i ri nisi të shkruante vjersha dashurie në stilin e këngëve popullore, që mblidhte asokohe “duke imituar siç të mundte thjeshtësinë e rapsodive”. Vitin tjetër, më 6 janar 1834, ditën e Epifanisë, hartoi të parin idil në të cilin paraqitet një episod dashurie që më vonë doli tek “Milosao” (Në vitet 1835-1836 nisi të shkruante skicë-idetë e para të Proto-Milosaos dhe Proto-Serafinës. Më 22 shkurt 1836 botoi për herë të parë në Omnibus “Canto in morte di Scanderbeg”.

Më 1837 skicoi këngë të ndryshme të “Scanderbeg” dhe shkruan variantin e parë të Serafinës, të cilën e shtyp më 1839. Pipa gjykon se “Skanderbeku” është vazhdim i “Serafinës” me emër tjetër. Gjatë burgimit njëmujor shkroi një vjershë kushtuar Huniadit, “Giovanni Uniade”, botuar pas vdekjes. Më 1841-’42 shkroi tragjedinë “I Numidi”, që nuk i ngrohu edhe aq miqtë e tij, të cilën e botoi më 1846. Provoi fatin e tij me trajtesën filozofike “Divinazione pelasgiche”, botuar së pari te “Lucifero” dhe pastaj te “Mattneer” po më 1842. Më 1861 botoi “Principi di estetica”, “Antichità della nazione albanese”, “Lettera a Stamile”, përkujdeset për gramatikën që punoi i biri Giuseppe “Grammatica della lingua albanese” mbështetur në dialektin e Kratit, më 1870. Më 1890 botoi “Pelasgi ed albanesi”, 1892 “Il Collegio Albanese”, “La Cattedra Albanese” dhe shkruajti tragjedinë “Sofonisba”. Më 1894 shkroi veprën “Caratteri e grammatica”, më 1896 “Abecedario” dhe “Antologia”, në vitet 1898-1902 “Autobiografia” dhe “Testamento politico”.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related