Ish-bashkëshortja e Jetmir Pepës paraqitet në SPAK, pritet të japë shpjegime për pasuritë e sekuestruara

Data

Mariela Berisha është paraqitur këtë të martë në ambientet e SPAK, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj grupit kriminal të drejtuar, sipas autoriteteve, nga Jetmir Pepa.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Berisha është thirrur nga prokurorët e posaçëm për të dhënë deklarime lidhur me procedimin penal që po zhvillohet ndaj grupit, i cili dyshohet për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës në tregjet ndërkombëtare.

Sipas të njëjtave burime, hetimet lidhen me një aktivitet të dyshuar kriminal që, sipas SPAK, ka përfshirë trafikimin e rreth 7.5 tonëve kokainë brenda një periudhe njëvjeçare.

Mariela Berisha, e cila është ish-bashkëshortja e Jetmir Pepës, është thirrur për të sqaruar çështje që lidhen me pasuritë e vendosura nën sekuestro preventive gjatë hetimeve.

Prokuroria e Posaçme po verifikon origjinën dhe mënyrën e përfitimit të disa aseteve që dyshohet se mund të kenë lidhje me aktivitetin kriminal të hetuar. Në këtë kuadër, dëshmia e personave të afërt me të dyshuarit konsiderohet e rëndësishme për zbardhjen e rrethanave të çështjes.

Hetimet ndaj grupit të dyshuar vijojnë, ndërsa SPAK nuk ka bërë ende publike detaje të tjera mbi deklarimet e dhëna apo veprimet e mëtejshme procedurale që mund të ndërmerren në këtë dosje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related