SPAK ka ndërmarrë një hap të ri në hetimet për dosjen e njohur si “21 Janari”, duke dërguar për ekspertizë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës materialet audio të komunikimeve radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë ngjarjeve të 21 janarit 2011.
Sipas burimeve pranë organit të akuzës, materialet janë nisur prej disa javësh nëpërmjet një letër-porosie drejt një laboratori të specializuar amerikan, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore të SHBA-së.
Qëllimi fillestar i ekspertizës është verifikimi i autenticitetit të regjistrimeve audio. Pas kësaj faze, ekspertët pritet të kryejnë analizën dhe krahasimin e zërave të personave që dëgjohen në komunikimet e realizuara në kanalin radio të Gardës së Republikës gjatë protestës së 21 janarit 2011.
Në laboratorin amerikan është dërguar edhe kaseta origjinale e dorëzuar nga familjarët e të ndjerit Aleks Nika, një prej katër protestuesve që humbën jetën gjatë demonstratës së zhvilluar në Bulevardin Bulevardi Dëshmorët e Kombit.
Rezultatet e ekspertizës konsiderohen të rëndësishme për vijimin e hetimeve, pasi mund të ndihmojnë në identifikimin e personave që kanë komunikuar gjatë ngjarjes dhe në sqarimin e përgjegjësive të mundshme në zinxhirin komandues.
Aktualisht, SPAK është në pritje të përgjigjes nga autoritetet amerikane për të vijuar me veprimet e mëtejshme procedurale në një nga dosjet më të ndjeshme dhe më të debatuara të historisë politike dhe gjyqësore të Shqipërisë.
