Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi akuzat ndaj kompanisë së re shtetërore “Albanian Digital Solution” (ADS), duke pretenduar se ajo është ndërtuar mbi një model që, sipas tij, lejon shmangien e procedurave të zakonshme të kontrollit dhe tenderimit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se për kompetencat dhe funksionimin e ADS nuk ekziston një vendim i qartë i Këshillit të Ministrave, ndërsa ngriti dyshime mbi mënyrën se si do të menaxhohen fondet publike dhe investimet e saj.
Sipas tij, statuti i kompanisë i jep mundësi të gjera veprimi, përfshirë krijimin e shoqërive të tjera dhe pjesëmarrjen në kapitale brenda dhe jashtë vendit, çka, sipas kreut të opozitës, krijon hapësira për interpretime të gjera dhe mungesë kontrolli institucional.
Berisha e krahasoi ADS me modelin e kompanisë KAYO, duke pretenduar se bëhet fjalë për një mekanizëm që mund të përdoret për transferimin e fondeve publike drejt partnerëve privatë pa procedura konkurruese.
“Po krijohet një kompani që i lejon vetes të përcaktojë pa kufi veprimtarinë e saj. Është një model që ngjan me atë të KAYO-s dhe që hap rrugën për përdorimin e kapitalit shtetëror pa garanci të mjaftueshme transparence”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, Berisha përmendi edhe emra që janë përfshirë në hetimet e dosjes së AKSHI, duke pretenduar se personazhe të lidhur me skandalet e mëparshme vazhdojnë të kenë ndikim në sektorin e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po krijon struktura të reja për të zëvendësuar institucionet e kontestuara dhe për të vazhduar, sipas tij, të njëjtin model menaxhimi të fondeve publike.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur debati mbi reformimin e institucioneve të teknologjisë dhe hetimet e SPAK për çështje që lidhen me tenderët dhe kontratat publike në sektorin digjital mbetet në qendër të vëmendjes politike.
