Irani po shqyrton vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, ndërsa sinjalizon se vendet që i konsideron partnere mund të përfitojnë trajtim preferencial.
Deklarata u bë nga ambasadori i Iranit në Pekin, Abdolreza Rahmani Fazli, gjatë Forumit Botëror të Paqes, ku ai tha se Teherani po punon së bashku me Omanin për hartimin e një kuadri të ri për administrimin e kalimeve në këtë rrugë ujore strategjike.
“Sjellja e tarifave do të lidhet me shërbimet që ofrohen për garantimin e sigurisë së lundrimit, monitorimin e trafikut detar dhe adresimin e ndikimeve mjedisore të shkaktuara nga qarkullimi i madh i anijeve,” deklaroi ambasadori, duke theksuar se, sipas tij, nuk bëhet fjalë për një taksë.
Ai shtoi se Irani po shqyrton mundësinë e një trajtimi të veçantë për shtetet që, sipas Teheranit, kanë mbështetur vendin gjatë periudhave të vështira.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, pasi një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës dhe gazit kalon përmes saj. Çdo ndryshim në regjimin e kalimit në këtë zonë vlerësohet se mund të ketë ndikim në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Sipas raportimeve, diskutimet për një zgjidhje më afatgjatë të situatës në rajon vijojnë, ndërsa mbetet e paqartë se kur dhe në çfarë forme mund të hyjnë në fuqi masat e paralajmëruara nga Teherani.
