Tregu i punës në Shqipëri ka shënuar përmirësim gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, me rritje të punësimit dhe pagave, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave.
Sipas raportit, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për grupmoshën 15–64 vjeç arriti në 75.9%, duke shënuar një rritje prej 0.4 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit në 58.5%, me një rritje vjetore prej 0.9 pikë përqindje. Në të njëjtën kohë, papunësia ka rënë në 8.3%, ose 0.5 pikë përqindje më pak krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024.
Sipas të dhënave, aktualisht në vend janë rreth 1,172,550 persona të punësuar dhe 105,906 të papunë.
Paralelisht me përmirësimin e treguesve të punësimit, është rritur edhe paga mesatare mujore bruto për një të punësuar, e cila arriti në 86,984 lekë. Kjo përfaqëson një rritje prej 4.3% krahasuar me një vit më parë dhe 4.4% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025.
Sektorët me pagat më të larta mbeten aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me një pagë mesatare prej 173,283 lekësh në muaj, si dhe sektori i informacionit dhe komunikacionit me 131,165 lekë.
Sipas raportit, rritja më e madhe vjetore e pagave sipas aktiviteteve ekonomike është regjistruar në sektorin e informacionit dhe komunikacionit me 7.9%, ndërsa sipas profesioneve rritja më e lartë është shënuar te forcat e armatosura me 10.6%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një zhvendosje të punësimit drejt pagave më të larta. Pesha e punonjësve që paguhen mbi 120 mijë lekë është rritur nga 14.1% në 16.2%, ndërsa përqindja e atyre që paguhen deri në nivelin e pagës minimale ka rënë nga 14.2% në 12.8%.
