Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu, ku ndodhet prej 236 ditësh, duke folur për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë për prapaskenat që sipas tij, e çuan drejt arrestimit dhe përplasjet e brendshme në opozitë. Në një rrëfim ekskluziv për “ Report TV”, Meta sulmon ashpër drejtësinë, duke e quajtur të kapur nga kryeministri Edi Rama, ndërsa shigjeton pa mëshirë edhe disa ish-bashkëpunëtorë të afërt, që sot i quan “tradhtarë”.
Ai flet për zgjedhjet e fundit, rezultatin e Partisë së Lirisë, përçarjen brenda opozitës dhe për planet e ardhshme politike. Ndër të tjera, Meta zbardh edhe rolin e disa emrave konkretë që sipas tij, kanë bashkëpunuar me SPAK-un për ta fundosur atë. Me tone të ashpra, ai thotë se nuk i trembet drejtësisë, por paralajmëron një betejë të gjatë për të vërtetën dhe për rivendosjen e pluralizmit. Meta rikujton se edhe më herët ka kërkuar që SPAK të marrë në pyetje, përveç Endrit Braimllarit, edhe Adrian Shatkun dhe Eriol Braimllarin.
