Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka lënë sërish ambientet e paraburgimit për të marrë pjesë në pritjet e ngushëllimit pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Rexhep Meta.
Nën masa të posaçme sigurie dhe i shoqëruar nga efektivët e Policisë së Burgjeve, ish-Presidenti i Republikës është paraqitur në hotelin ku po zhvillohen pritjet për familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët që po shprehin ngushëllimet e tyre.
Mes personaliteteve që kanë vizituar Metën ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili u pa duke hyrë në ambientet e hotelit për t’i shprehur ngushëllimet kreut të Partisë së Lirisë për humbjen e të atit.
Kjo është hera e dytë brenda pak më shumë se një dite që Ilir Meta largohet nga qelia me leje të autoriteteve. Një ditë më parë, ai mori pjesë në ceremoninë mortore të zhvilluar në fshatin Çepan të Skraparit, ku iu dha lamtumira e fundit Rexhep Metës.
Pritjet e ngushëllimit pritet të vijojnë gjatë gjithë ditës, ndërsa në hotel kanë mbërritur figura të njohura të politikës, institucioneve dhe jetës publike për të shprehur solidaritetin me familjen Meta në këtë moment të vështirë.
