Me vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Belinda Balluku është pezulluar nga posti i zëvendëskryeministres, ndërsa i është ndaluar edhe dalja jashtë territorit të Shqipërisë. Balluku është marrë e pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Dosja e saj duket se është shumë më e madhe nga çfarë është parë deri tani. Ajo që fillimisht u paraqit si një hetim për tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe, ka marrë përmasa të reja dhe nën verifikim janë të 7 lotet e projektit por edhe procedura të tjera tenderuese.
Bëhet fjalë për një nga investimet më të mëdha publike në vend, 28.7 kilometra rrugë me një vlerë rreth 450 milionë euro. Mësohet se SPAK ka në duar një sasi të madhe dokumentesh, komunikimesh dhe korrespondencash zyrtare që i përkasin viteve 2021–2023. Të gjitha këto janë pjesë e asaj që brenda institucioneve quhet “dosja e madhe” e tenderëve të infrastrukturës. Sipas dokumentacionit në vitin 2021, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, për Unazën u hapën 7 tendera njëherësh të Unazës së Madhe. Mesazhet e përfshira në dosjen hetimore tregojnë se më 12 gusht 2021, punonjësit e ARRSH-së punonin deri pas mesnate për publikimin e tenderëve. Sipas prokurorisë, gjithë ky nxitim kishte vetëm një qëllim, formalitetet e procedurës të mbylleshin në kohë. Sepse, siç del nga hetimet, fituesit ishin përcaktuar paraprakisht. Por këto afera janë vetëm maja e ajsbergut, pasi Balluku ka mbi kurriz një seri të gjatë akuzash publike për kryerjen e veprave të rënda penale.
