Audioja e “21 Janarit” në duart e ekspertëve amerikanë, SPAK pret verifikimin e provës që dyshohet se dokumenton urdhrat për hapjen e zjarrit ndaj protestuesve

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm në hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit 2011, duke dërguar për ekspertizë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës materialet audio që lidhen me komunikimet në rrjetin e Gardës së Republikës gjatë protestës ku humbën jetën katër qytetarë.

Sipas burimeve pranë organit të akuzës, ekspertiza do të fokusohet fillimisht në verifikimin e autenticitetit të regjistrimeve dhe më pas në identifikimin dhe krahasimin e zërave të personave që dyshohet se kanë komunikuar përmes radios operative gjatë zhvillimit të ngjarjeve.

Materiali audio, i bërë publik vite më parë nga gazetari investigativ Artan Hoxha, pretendohet se përmban komunikime mes drejtuesve të Gardës së Republikës dhe strukturave të tjera të sigurisë, ku flitet për gatishmëri për përdorimin e armëve dhe për veprime operative gjatë protestës. Sipas pretendimeve të ngritura publikisht, këto komunikime mund të hedhin dritë mbi zinxhirin komandues dhe vendimmarrjen në momentet që paraprinë vrasjen e protestuesve.

Vetë Hoxha ka deklaruar se materiali i është vënë në dispozicion nga burime të huaja dhe se regjistrimet përbëjnë një element me vlerë të lartë hetimore, pasi sipas tij mund të ndihmojnë në rindërtimin e plotë të ngjarjes. Ai ka theksuar se mbrojtja e burimit mbetet thelbësore, duke e konsideruar publikimin e materialit si një kontribut në zbardhjen e një prej episodeve më të debatuara të tranzicionit shqiptar.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë pretendimet mbi vërtetësinë e audio-regjistrimeve, duke i cilësuar ato manipulime dhe falsifikime. Berisha ka mbrojtur qëndrimin se ngjarjet e 21 Janarit janë hetuar më parë dhe se përgjegjësitë duhet të kërkohen tek organizatorët e protestës së asaj kohe.

SPAK vijon hetimet mbi dosjen e 21 Janarit prej afro dy vitesh, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që urdhëroi rihapjen e çështjes. Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-presidentë, ish-ministra dhe drejtues të institucioneve të sigurisë. Rezultatet e ekspertizës amerikane pritet të jenë vendimtare për hapat e mëtejshëm të hetimit dhe për vlerësimin e rolit të personave të përfshirë në ngjarjet tragjike të 21 Janarit 2011.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related