Është shtyrë sërish në GJKKO seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në lidhje me dosjen e njohur si “Sterilizimi”.
Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës, ndërsa gjykata vendosi që seanca e radhës të mbahet më 9 qershor.
Gjatë seancës së sotme, Beqaj nuk ishte vendosur në kafazin e xhamtë të sallës së gjyqit, por qëndroi pranë avokatit të tij, pas pranimit të kërkesës së bërë në seancën e kaluar nga mbrojtja.
SPAK ka marrë të pandehur Beqajn për koncesionin e sterilizimit, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për “shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet lidhen me koncesionin për ofrimin e seteve kirurgjikale të sterilizuara, furnizimin me materiale mjekësore njëpërdorimëshe dhe trajtimin e mbetjeve biologjike në sallat kirurgjikale.
Në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe tetë persona të tjerë, mes tyre ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët ndodhen në masë sigurie “arrest në burg” prej gushtit të vitit të kaluar.
Në proces janë përfshirë gjithashtu edhe disa ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë pjesë e komisionit që ka trajtuar procedurat e koncesionit të sterilizimit.
