Evi Kokalari kritikon organizatorët e protestës: Energjia qytetare rrezikon të shpërdorohet

Data

Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar lidhur me ecurinë e protestave në Tiranë, duke paralajmëruar se organizatorët rrezikojnë të humbasin, sipas saj, një mundësi të rëndësishme për ndryshim politik.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kokalari vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve, të cilët prej më shumë se një muaji vijojnë të dalin në bulevard, por kritikoi mënyrën se si po drejtohet protesta.

Sipas saj, organizatorët nuk po arrijnë ta shndërrojnë pakënaqësinë qytetare në një strategji të qartë dhe afatgjatë. Ajo pretendoi se ambiciet personale dhe protagonizmi mund të dëmtojnë qëllimet e lëvizjes.

“Një popull që ngrihet për më shumë se një muaj është një mundësi politike që nuk vjen shpesh. Nëse e shpërdoroni për ego, protagonizëm dhe karrierë personale, përgjegjësia nuk do të jetë e popullit që doli në shesh, por e atyre që nuk ditën ta kthenin protestën në strategji”, shkroi Kokalari.

Ajo theksoi se politika nuk mund të kufizohet vetëm te protestat, por kërkon organizim, durim, diplomaci dhe një plan të qartë veprimi.

Protesta qytetare hyri një ditë më parë në ditën e 46-të. Pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe ndryshimin e klasës politike.

Gjatë tubimit u artikuluan gjithashtu kërkesa për reagim nga institucionet e drejtësisë, luftë kundër korrupsionit dhe përmirësim të situatës ekonomike e sociale.

Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa kritikat e Kokalarit përfaqësojnë vlerësimin e saj politik për mënyrën e drejtimit të lëvizjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related