“Il Foglio” analizon protestat në Shqipëri: “Nga mbrojtja e flamingove te revolta qytetare kundër mënyrës së qeverisjes”

Data

E përditshmja italiane Il Foglio i ka kushtuar një analizë të gjerë protestave që po zhvillohen në Shqipëri, duke i përshkruar ato si një lëvizje që ka evoluar nga një reagim për mbrojtjen e mjedisit në një debat më të gjerë mbi qeverisjen, zhvillimin urban dhe transparencën institucionale.

Sipas gazetës, protesta nisi pas kundërshtimeve ndaj një projekti zhvillimi në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ku flamingot rozë u shndërruan në simbol të lëvizjes qytetare. Artikulli argumenton se me kalimin e ditëve, kërkesat e protestuesve janë zgjeruar duke përfshirë çështje si korrupsioni, ndërtimet intensive, mbrojtja e pasurive natyrore dhe funksionimi i institucioneve.

Në analizë citohet dizajnerja Fatma Paja, e cila shprehet se kundërshtimi nuk është ndaj investimeve të huaja në vetvete, por ndaj mënyrës së menaxhimit të tyre, duke kërkuar më shumë transparencë, respekt për mjedisin dhe përfitime për komunitetet lokale.

Artikulli ndalet edhe te transformimet që ka njohur Shqipëria gjatë viteve të fundit, duke përmendur rritjen e turizmit, zhvillimin urban dhe avancimin e procesit të integrimit europian gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Në të njëjtën kohë, gazeta vëren se protestat kanë sjellë në qendër të debatit publik edhe kritika mbi modelin e zhvillimit ekonomik, ndikimin e investimeve strategjike dhe besimin e qytetarëve te institucionet.

Në shkrim përfshihen edhe qëndrime të arkitektit Lajdi Sulaj, politologut Blendi Kajsiu dhe ish-ministrit Ditmir Bushati, të cilët analizojnë zhvillimet politike dhe sfidat që, sipas tyre, po përballon vendi.

Sipas Il Foglio, protesta është shndërruar në një debat më të gjerë mbi të ardhmen e Shqipërisë, ku pjesëmarrësit shprehin shqetësime për mbrojtjen e mjedisit, planifikimin urban, transparencën dhe llogaridhënien publike. Gazeta vlerëson se pavarësisht zhvillimeve ekonomike dhe procesit të integrimit europian, pakënaqësitë e shprehura në rrugë kanë hapur një diskutim të ri mbi modelin e zhvillimit dhe raportin mes qytetarëve dhe institucioneve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related