Protesta e 40-të qytetare para godinës së Kryeministrisë ka vijuar edhe këtë mbrëmje me fjalime të aktivistëve dhe pjesëmarrësve, të cilët kanë përsëritur kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.
I pari që mori fjalën ishte aktivisti Andi Tepelena, i cili tha se kërkesa kryesore e protestës mbetet e pandryshuar që prej nisjes së saj.
Sipas Tepelenës, qytetarët kanë një kërkesë të vetme që është përsëritur në çdo protestë.
“Dua ta filloj me pesë kërkesat e famshme që dolën nga ky shesh, duke u konsultuar me njerëzit. Pika 1, dorëheqja e kryeministrit Rama. Pika 2, dorëheqja e kryeministrit Rama. Pika 3, dorëheqja e kryeministrit Rama. Pika 4, dorëheqja e kryeministrit Rama. Dhe pika 5, që është edhe më e rëndësishmja, dorëheqja e kryeministrit Rama,” u shpreh ai.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 40-të, ka mbledhur qytetarë përpara Kryeministrisë pas marshimit të zhvilluar nga sheshi “Skënderbej”.
Organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se protestuesit synojnë të vazhdojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesave të tyre.
