“I thashë këtij shokut të më gërmojë te SPAK-u, mos ka gjë për Ulon”/ Zbardhet dëshmia e Agim Ismailit

Data

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore për hakërimin e kompjuterëve dhe e-maileve të disa prokurorëve të SPAK. Në këtë çështje janë nën hetim tre persona, mes tyre edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili.

Sipas të dhënave të SPAK, Ismaili ka deklaruar se materialet hetimore ia sillte Zambak Gjoni, ndërsa ka mohuar se kishte dijeni për hakërimin e e-maileve të prokurorëve. Ai ka pretenduar se informacionet i trajtonte “me humor” dhe se nuk besonte që Gjoni kishte aksesuar apo korruptuar persona brenda SPAK për të siguruar dokumente sekrete.

Megjithatë, Ismaili ka pranuar se disa nga këto materiale ua ka shpërndarë personave të tretë. Për grupin hetues, kjo tregon një interes të veçantë të tij për dosjet hetimore, interes që u vu re edhe te kërkesa për të orientuar kërkimet rreth emrit të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Sipas hetimeve, orientimi për këtë emër bëhej nga Agim Ismaili te Zambak Gjoni, i cili më pas ia kërkonte këtë “nder” Arnold Rrokajt. Ky i fundit dyshohet se kishte arritur të aksesonte e-mailet e disa prokurorëve të SPAK.

Ismaili ka dëshmuar se materiali i parë që i ishte dërguar kishte të bënte me mesazhe apo biseda të përgjuara nga dosja e Arben Ahmetajt. Më pas, sipas tij, i janë dërguar edhe dokumente të tjera në format “Word”, përfshirë urdhra ndalimi, materiale hetimore për Damian Gjiknurin, procesverbale kontrolli banesash për disa shtetas me mbiemrin Çopja, si edhe disa letërporosi drejtuar shteteve të huaja.

Në dosje përmendet gjithashtu se Arnold Rrokaj i kishte kaluar Zambak Gjonit një link dhe një fjalëkalim për të aksesuar përgjime nga platforma Sky, por Gjoni ka deklaruar se nuk kishte mundur të hynte.

Zambak Gjoni ka pranuar se këto materiale ua kishte dërguar edhe disa miqve dhe dy gazetarëve. Ndër personat me të cilët ai mbante kontakt të vazhdueshëm ishte Agim Ismaili, i cili sot është gjithashtu nën hetim për veprën penale të “përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, të kryer në bashkëpunim.

Në dëshminë e tij, Ismaili ka sqaruar se e njeh Zambak Gjonin që nga viti 2019, se e ka komanduar drejtor burgu në Vlorë dhe më pas e ka ndihmuar të punësohet në IKMT. Ai ka pranuar se një natë Gjoni i kishte sjellë një material që ai e kishte shpërndarë, duke menduar se ishte një lajm i publikuar më parë në media.

Edhe pse Ismaili i ka cilësuar bisedat për emrin e ministrit Manja si “shaka”, grupi hetues dyshon se interesi i tij lidhet me shkarkimin nga posti i drejtorit të Burgjeve, me firmë të ministrit të Drejtësisë, pas një kontrolli të KLSH-së ku u konstatuan shkelje.

Sipas hetuesve, Ismaili mund të ketë tentuar të siguronte prova komprometuese ndaj ish-eprorit të tij, duke orientuar kërkimet në e-mailet e hakeruara të SPAK. Kjo dyshohet të konfirmohet edhe nga biseda e zbardhur në dosje:

“I thashë këtij shokut të më gërmojë te SPAK-u, mos ka gjë për Ulon”, e shoqëruar me përgjigjen “Do ishte e hatashme”.

Vetë Ismaili ka këmbëngulur se ka menduar se informacionet vinin nga gazetarë dhe jo nga një akses i paligjshëm në sistemet e SPAK, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rolin dhe përgjegjësinë e secilit të përfshirë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related