Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me protestën e paralajmëruar për datën 24 janar.
Këlliçi shprehet se demokratët janë në këmbë dhe se përgatitjet për protestën po vijojnë intensivisht në të gjitha strukturat e partisë. Ai ka ndarë edhe pamje nga një takim me kryesinë e degës nr. 9 në Tiranë, ku, sipas tij, janë dhënë udhëzimet për ditët dhe orët e mbetura deri në protestë.
Në mesazhin e tij, Këlliçi thekson se protesta pritet të jetë një bashkim historik kundër korrupsionit dhe krimit, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht.
Postimi i Këlliçit:
“Tirana zien, kudo flitet për 24 janarin, për të shtunën, për protestën.
Demokratët janë në këmbë. Takime të pandalshme me strukturat dhe qytetarët.
Me kryesinë e degës 9, ndamë sonte udhëzimet për orët dhe ditët që kanë mbetur deri sa bulevardi të oshëtijë si asnjëherë tjetër kundër korrupsionit dhe krimit.
Do të jetë bashkim historik. Mos mungo!
Shihemi të shtunë, datë 24 janar, ora 17:00.”
