“Dështim në zbatim”/ Çështja e kompensimit të pronave, Tabaku: Ligji socialist ka mbaruar afatin

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rikthyer në vëmendje një nga problematikat më të mëdha të tranzicionit shqiptar: kthimin dhe kompensimin e pronave.

Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Tabaku thekson se kanë kaluar 10 vite nga hyrja në fuqi e ligjit për trajtimin e pronave, i miratuar nga mazhoranca socialiste, afat i cili sipas saj tashmë ka përfunduar pa u përmbushur objektivat ligjore.

Ajo rikujton se ligji parashikonte që brenda një dekade të përfundonte procesi i kthimit ose kompensimit të pronave, me një angazhim buxhetor që arrinte mbi 1 miliard euro, rreth 100 milionë euro në vit. Megjithatë, sipas Tabakut, realiteti tregon një dështim të plotë në zbatim.

Sipas të dhënave që ajo citon, vetëm rreth 20% e vendimeve të trajtuara nga Agjencia e Trajtimit të Pronave janë përmbyllur, ndërkohë që mijëra dosje vijojnë të mbeten në procese gjyqësore ose administrative, pa zgjidhje konkrete.

Deputetja ngre shqetësime edhe për mungesën e kompensimit fizik, duke theksuar se trualli publik është shpërndarë ndër vite përmes ligjit të investimeve strategjike apo paketave të tjera ligjore, duke pamundësuar kthimin real të pronës tek i zoti.

Tabaku e cilëson reformën e pronave si një tjetër reformë të dështuar të qeverisë socialiste, duke nënvizuar se pa zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronësisë nuk mund të ketë siguri juridike, investime serioze dhe respektim të së drejtës kushtetuese të pronës.

Ajo kritikon gjithashtu njoftimin e fundit të qeverisë për shpërndarjen e 14 milionë eurove për kompensim, duke e cilësuar këtë shumë si “një pikë uji në oqeanin e detyrimeve” të marra përsipër një dekadë më parë.

Sipas Tabakut, rikthimi i pronës tek i zoti mbetet një kusht themelor për drejtësi, zhvillim ekonomik dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related