Reshjet e dendura të dëborës dhe ngricat kanë shkaktuar bllokime serioze në disa segmente rrugore të Qarkut Shkodër, duke izoluar dhjetëra familje, mes tyre edhe fëmijë. Situata paraqitet problematike veçanërisht në akset malore, ku qarkullimi i automjeteve është vështirësuar ndjeshëm.
Gjatë orëve të fundit, salla operative e Komisariatit të Policisë Shkodër ka marrë një numër të madh telefonatash nga qytetarë që raportojnë bllokime rrugore dhe pamundësi për lëvizje, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike.
Sipas Prefekturës së Qarkut Shkodër, problematikat janë evidentuar kryesisht në segmentin nga Buni i Bajraktarit deri në zbritje drejt qytetit të Koplikut. Në këtë zonë, reshjet e breshërit të alternuara me dëborë, si dhe temperaturat e ulëta, kanë favorizuar formimin e ngricave, duke rrezikuar sigurinë e lëvizjes.
Mësohet se mbi 200 automjete kanë mbetur të bllokuara ose kanë krijuar trafik të rënduar në drejtim të Koplikut. Situata është menaxhuar falë ndërhyrjes së Policisë Rrugore dhe mjeteve borëpastruese, të cilat po punojnë në terren për normalizimin e qarkullimit.
Autoritetet bëjnë me dije se aksi Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht, ndërsa segmenti Selcë–Qafë Berdelëcit vazhdon të paraqesë vështirësi për shkak të ngricave të shumta, duke detyruar disa automjete të kthehen mbrapsht drejt Tamarës.
Policia dhe Prefektura e Shkodrës u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve në terren. Në raste emergjente, qytetarët ftohen të kontaktojnë menjëherë shërbimet e Policisë dhe emergjencës.
