Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku gjatë takimit me demokratët në Kombinat, duke i cilësuar si njerëz që nuk meritojnë asnjë minutë më shumë në pushtet.
Berisha akuzoi Ramën se po bllokon drejtësinë duke mos lejuar heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin. Ai e krahasoi situatën me periudhën kur ishte vetë kryeministër, duke theksuar se atëherë askujt nuk do t’i shkonte mendja të pengonte drejtësinë dhe se ministrat dorëzonin vetë imunitetin si akt përgjegjësie ndaj qytetarëve.
Sipas Berishës, refuzimi për të lejuar hetimin e Ballukut lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin, pasi – siç u shpreh ai – dosjet për projektet e mëdha infrastrukturore përfshijnë edhe Ramën. Ai përmendi Tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës, duke i cilësuar si projekte të ndërtuara për vjedhje dhe jo për zhvillim.
Berisha u ndal edhe te skandali i AKSHI-t, ku akuzoi drejtpërdrejt baxhanakun e kryeministrit, Armand Frangu, duke thënë se ky i fundit ka kryer qindra transaksione me paratë e taksapaguesve dhe ka përfituar kontrata sekrete në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, bëhet fjalë për një sistem të organizuar grabitjeje të fondeve publike dhe abuzimi me pushtetin.
“Këta që kemi përballë janë armiq të egër të interesit publik. Nuk meritojnë asnjë orë në pushtet dhe ne do t’ua tregojmë vendin që meritojnë,” deklaroi Berisha, duke i bërë thirrje demokratëve për një kryengritje paqësore të pandërprerë.
Në fund të fjalës së tij, ai ftoi qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që më 24 janar të dalin në protestë, duke e cilësuar këtë si një provë vendimtare për largimin e asaj që e quajti “regjimi më i urryer që shqiptarët kanë pasur pas diktaturës”.
Berisha theksoi se misioni i Partisë Demokratike është rikthimi i votës së lirë, fitorja e opozitës dhe vendosja e Shqipërisë në rrugën e dinjitetit dhe zhvillimit.
