Një aksident i trefishtë rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në autostradën Vlorë-Fier, pranë fshatit Panaja.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete tip “Benz” dhe një mjet i tonazhit të rëndë, konkretisht një bot uji.
Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa si pasojë autoboti ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në anë të autostradës, duke shkaktuar bllokim të pjesshëm të qarkullimit në zonë.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë dhënë ndihmën e parë për personat e përfshirë në aksident.
Burime paraprake bëjnë me dije se një person ka mbetur i plagosur dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për viktima.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit, si edhe për të përcaktuar përgjegjësitë e drejtuesve të mjeteve të përfshira.
