I dënuar për terrorizëm në SHBA, konfiskohen rreth 210 mijë euro të familjarëve në Tiranë

Data

Prokuroria e Tiranës ka vendosur konfiskimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmetit, shtetas shqiptar i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg për vepra penale të lidhura me terrorizmin.

Sipas Prokurorisë, hetimet pasurore kanë nxjerrë në pah transaksione bankare dhe depozita financiare në emër të prindërve të tij, të cilat nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme. Familjarët kanë deklaruar se paratë rrjedhin nga qira dhe kursime, por nuk kanë paraqitur dokumentacion që të provojë burimin e ligjshëm të këtyre shumave.

Në total, janë konfiskuar rreth 210 mijë euro në llogari bankare në lekë, euro dhe dollarë, të cilat sipas organit të akuzës nuk përputhen me të ardhurat e deklaruara ndër vite.

Sajmir Alimehmeti u arrestua në vitin 2016 në New York dhe u dënua në vitin 2019 nga Gjykata Federale e Manhatanit si mbështetës i ISIS-it, për sigurim mbështetjeje materiale për grupe terroriste dhe deklarime të rreme. Për të njëjtat akuza është arrestuar në SHBA edhe vëllai i tij.

Prokuroria thekson se pasuritë e sekuestruara do të kalojnë në pronësi të shtetit, pasi nuk provohet prejardhja e ligjshme e tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related