Kuvendi do të zhvillojë të enjten një seancë plenare, ku Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, lidhur me vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar, pranë shkollës “Fan Noli”.
Ngjarja ka zgjuar reagime të forta në opinionin publik, duke nxitur protesta nga shoqata dhe grupime që kërkojnë dorëheqjen e ministres Manastirliu dhe masa urgjente për garantimin e sigurisë së nxënësve në shkolla.
Në fillim të vitit shkollor 2024-2025, Ministria e Arsimit njoftoi shtimin e 40 oficerëve sigurie në shkolla, duke e çuar numrin total në 240. Së fundmi, Ministria ka shpallur 62 vende vakante për oficerë sigurie në 25 zyra arsimore vendore, me kërkesën më të madhe në Tiranë, Krujë, Lezhë, Dibër dhe Vlorë.
