Paraditen e sotme, katër grupe komisionesh verifikimi kanë dalë në terren në fshatin Ferras për të konstatuar dhe evidentuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit. Megjithatë, procesi ka nisur mes debatesh dhe pakënaqësish nga banorët.
Kryeplaku i fshatit, Zani Hyka, ka kundërshtuar mënyrën se si po kryhet verifikimi, duke pretenduar se procesi nuk po zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe se disa dëme po neglizhohen. Sipas tij, ka banesa dhe prona që janë prekur seriozisht nga uji, por nuk po evidentohen siç duhet nga komisionet.
Verifikimi po kryhet si në zonat brenda argjinaturës ashtu edhe jashtë saj, në kuadër të fazës së parë të evidentimit të prezencës së ujit dhe pasojave të shkaktuara në banesa dhe prona private.
Nga të dhënat paraprake të mbledhura në terren, deri më tani janë evidentuar rreth 120 banesa të prekura nga përmbytjet. Dëmet nuk kufizohen vetëm në ambientet e brendshme të shtëpive, por përfshijnë edhe oborre, magazina, pajisje bujqësore dhe infrastrukturë ndihmëse. Në shumë raste, uji ka depërtuar në banesa duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Puna e komisioneve ka nisur fillimisht në zonat më të prekura dhe pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa banorët kërkojnë transparencë dhe trajtim të barabartë në procesin e verifikimit dhe dëmshpërblimit.
