Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj ka reaguar DJE pas sulmeve ndaj Prokurorisë së Posaçme, që kur kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Skëndaj ka dalë në krah të SPAK, duke vënë në pah rezultatet pozitive për ndëshkimin e zyrtarëve apo ish zyrtarëve të nivelit të lartë. “Për SPAK-un! Për çdo shkelje dhe parregullsi që mund të pretendohet në proceset hetimore të SPAK është vetëm gjykata që ka atributin ti konstatojë dhe të rivendosë në vend të drejtat e shkelura. Por jo Parlamenti dhe as Ekzekutivi, pasi kjo përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit. Nëse Shqipëria ka përparuar në rrugën e reformave dhe procesin e integrimit evropian, kryefjalë e rëndësishme e tyre janë rezultatet pozitive që janë shënuar në drejtim të hetimit nga SPAK dhe ndëshkimit nga GJKKO, të zyrtarëve apo ish zyrtarëve të nivelit të lartë.
Vetë Qeveria dhe Parlamenti Shqiptar kanë raportuar për këto të dhëna e i kanë reklamuar ato në proceset raportuese pranë Bashkimit Evropian. Nuk dua aspak të komentoj çështje të veçanta që janë në proces hetimor. Nuk jam dakord, me asnjë koleg të timin, avokat apo jurist që komentojnë këto raste, e po ashtu edhe me opinionistë e gazetarë, që marrin tagrat e prokurorit dhe gjyqtarit në emisione televizive ku diskutohen çështje në hetim. Po, parimi i prezumimit të pafajësisë, që kushdo quhet i pafajshëm deri sa fajësia e tij/saj të provohet me vendim të formës së prerë, është një nga parimet themelore në proceset penale dhe ai duhet të respektohet nga të gjithë. Por mbrojtja e këtij parimi nuk duhet të jetë selektive, pasi ligji është I barabartë për të gjithë. Komiteti Shqiptar I Helsinkit ka reaguar disa herë kur ky parim është shkelur më së pari në seancat plenare të Kuvendit ku dëgjohen akuzat reciproke për kryerjen e krimeve që kanë deputetët ndaj njëri tjetrit.
