Po vijon në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor ndaj Leonard Dukës, Fatmir Hysenit (Musai), Aleksandër Maxhakut, Dritan Agajt, Erlis Dukës dhe Oltjon Logës, të akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko.
Gjatë seancës, ku ishin të pranishëm familjarë të të pandehurve dhe të viktimës, u dëgjuan pretendimet e mbrojtjes dhe reagimet e forta të familjes së Malkos.
Avokatja Melina Gjeta, në mbrojtje të të pandehurve, deklaroi se konkluzionet e SPAK nuk mbështeten në prova të ligjshme, por në deduksione dhe informacione të marra nga media. Ajo vuri në dyshim vlefshmërinë e dëshmive, duke pretenduar se disa dëshmitarë janë vënë nën presion nga Policia e Shtetit dhe persona të tretë.
Sipas saj, dëshmitë e Blendi Tetës dhe Ilir Selmanit nuk mund të përdoren si prova, pasi janë dhënë në kushte presioni. Avokatja kundërshtoi gjithashtu përdorimin e transkripteve të komunikimeve në aplikacionin Sky, duke i cilësuar të paligjshme dhe në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.
Nga ana e tij, Leonard Duka deklaroi para gjykatës se është i pafajshëm dhe se ndaj tij nuk ekziston asnjë provë konkrete. Ai akuzoi policinë për montim të çështjes dhe u shpreh se ka besim te drejtësia.
Momenti më i rëndë emocional ishte reagimi i nënës së Santiago Malkos, e cila shpërtheu në sallën e gjyqit.
“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Më solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha se nuk kishte asgjë me Santin, por më pas doli dhe ma vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë,” u shpreh ajo mes lotësh.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë provat dhe pretendimet e palëve përpara vendimit përfundimtar.
