Një lajm i trishtë ka prekur familjen e aktores së njohur Ema Andrea. Është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare ish-basketbollisti Enea Andrea, vëllai i aktores, si pasojë e një arresti kardiak.
Dhimbja për humbjen e tij është bërë publike përmes një dedikimi emocional nga mbesa e tij, Sara Kapo, vajza e Ema Andreas. Ajo ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh të shkurtër, por tepër prekës, që tregon lidhjen e veçantë mes tyre:
“Përjetësisht do më mungosh daja.”
Enea Andrea ishte një figurë e njohur në sportin e basketbollit dhe një njeri shumë i dashur për familjen dhe miqtë. Rreth shtatë vite më parë ai kishte kaluar një problem me zemrën, por pas asaj periudhe ishte rikthyer në gjendje të mirë shëndetësore dhe formë fizike, çka e bën ndarjen e tij edhe më të papritur dhe të dhimbshme.
Humbja e parakohshme e tij ka lënë pas trishtim të madh, ndërsa dedikimi i mbesës ka prekur opinionin publik dhe ka sjellë një valë ngushëllimesh për familjen Andrea në këtë moment të vështirë.
